Mourinho pas rekordit të ri në Serie A: Ju lutem mos m’i qitni rekordet negative

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, është bërë trajneri i parë që i arrin më së shpejti nga 50 fitore në Itali, Spanjë dhe Angli, pas triumfit të skuadrës së tij kundër Fiorentinës të dielën.

I veçanti, siç e quan veten portugezi, gjeti kohë të bëjë shaka me këtë rekord, duke bërë thirrje që rekordet e tij negative të mos bëhen të ditura.

Roma e mposhti 3:1 Fiorentinën në ndeshjen e saj hapëse në sezonin e ri në Serie A të dielën, falë dy golave nga Jordan Beretout dhe një nga Henrikh Mkhitaryan.

Kjo nënkupton se Mourinho i ka fituar 50 prej 77 ndeshjeve të tij në Serie A, duke u bërë trajneri më i shpejtë që arrin kaq fitore në epokën e tri pikëve për fitore.

Këtë gjë e arriti edhe Në Premierligë me Chelsean dhe në Spanjë me Real Madridin.

Mourinho e publikoi postimin e Opta Paolos në llogarinë e vet në Instagram dhe u tall për rekordin.

“Ju lutem mos m’i publikoni rekordet negative, vetëm ato pozitive”, shkroi Mourinho.

Reklama