Jose Mourinho është plot lëvdata për lojtarët e tij të Romës pas fitores gjysmëfinale të Evropa Ligë ndaj Bayer Leverkusen.
“Kjo është e gjitha meritë e djemve, mentalitetit, dëshirës dhe ndjenjës së përgjegjësisë së tyre”, tha fillimisht portugezi.
‘Giallorossi’ fituan minimalisht në ndeshjen e parë para udhëtimit në Gjermani, pasi Bove gjuajti në rebound nga një pritje ndaj Tammy Abraham për t’i dhënë epërsinë 1-0.
Qindra tifozë u mblodhën rreth Stadio Olimpico për të pritur autobusin e ekipit me fishekzjarrë dhe flamuj ndërsa po udhëtonin për ndeshjen.
Mourinho e cilësoi si ndeshje të vështirë atë ndaj klubit gjerman dhe paralajmëroi ekipin që ende nuk ka përfunduar asgjë.
“Nuk ishte një ndeshje e lehtë sot, intelektualisht ishte një ndeshje shumë e vështirë. Është e vështirë të luash kundër Bayer Leverkusenit, të qëndrosh i përqendruar për 90 minuta, të luash për të fituar dhe në të njëjtën kohë të dish se humbja e topit mund të jetë shkatërruese në kundërpërgjigje. Djemtë ishin të mirë në pjesën e parë, por ende nuk kemi bërë asgjë”, tha më tej trajneri.
Kujtojmë që ndeshja e kthimit në mes dy skuadrave zhvillohet javën e ardhshme.