Lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Exit Polleve.
Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook tha se opozita nuk duhet me asnjë kusht të bëjë koalicion me Vetëvendosjen.
Sipas tij, kjo është një fitore për Kosovën.
“Kjo është një fitore për Kosovën! Opozita nuk duhet, me asnjë kusht, të bëjë koalicion me VETËVENDOSJE. 40% nuk është megjithatë dështim, është një paralajmërim se propaganda ende mban peshë përballë zbrazëtisë ideologjike. Ne e kundërshtojmë VV-në sepse ajo e sheh shtetin si pronë dhe qytetarin si mjet. Demokracia nuk rrezikohet vetëm nga ata që sundojnë, por edhe nga ata që nuk kanë asgjë për t’i kundërvënë. Urime të gjithëve!”, tha ai.
Theksojmë se publicisti Baton Haxhiu ka bërë publik Exit Poll-in e tij për zgjedhjet e 9 shkurtit ekskluzivisht në televizionin T7. Sipas këtij Exit-Polli të Baton Haxhiut: Lëvizja Vetëvendosje ka marrë: 37%, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë: 20%, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë: 23 %, AAK/NISMA ka marrë: 8 %, Lista për familjen sipas exit-poll s’e ka kaluar pragun.