ë Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e dëmtuara Sh.T., ka deklaruar që i akuzuari Idriz Alija (me të cilin ka bashkëjetuar), në ditën kritike të 6 gushtit 2024 ka shkrepur pesë herë me armë në drejtim të saj në sy të fëmijës. Tre plumba tha se kanë depërtuar në trup, ndërsa dy e kanë gërvishtur.
“Janë pesë shkrepje. Tre janë hyrëse, ndërsa dy janë vetëm gërvishtje”, tha dëshmitarja/e dëmtuara,
Në këtë rast, Idriz Alija akuzohet për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar.
Sh.T., deklaroi se ditën kritike kur kishte dalë nga tregu së bashku me djalin e saj E.A., dhe kishte shkuar në drejtim të semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, i akuzuari i kishte ndjekur pas dhe kishte filluar që të thërrasë emrin e djalit.
“I kemi kapërcy semaforat, pesë hapa përtej semaforave e ka thirrë djalin tem E., dhe i thash mos me u kthy dhe djali u kthy. Kur u kthy e ka këqyrë ia ka pa armën në dorë dhe mua nuk ka mundur të më thotë”, tha dëshmitarja.
Ajo thotë se e kishte thirrë djalin por nuk i është përgjigjur dhe se kur ishte kthyer për të parë se ku ishte djali, i akuzuari e kishte goditur pas shpine me plumbin e parë.
“Tu dashtë m’u kthy me e pa djalin, më ka ra në anën e djathtë të krahut, pas shpine me plumbin e parë. Kur jam kthy me pa ku është E., se veç e kam ndje që m’u ka nxeh trupi. Kur jam kthy, më ka ra plumbi tjetër në mes të gjoksit, prej mushkrie dhe ka dalë prapa shpine”, deklaroi Sh.T.
Në atë moment, e dëmtuara thotë se deshi të ikte dhe e kishte thirrë djalin vazhdimisht që të largohej. Tha se pas atyre dy shkrepjeve, ishte goditur sërish në krahun e majtë dhe më pas është rrëzuar përtokë.
“Kur e kam thirrë dhe jam kanë tu ikë, më ka ra plumbi tjetër këtu në krahun e majtë dhe më ka dalë këtej. Atëherë jam rrëzu përtokë”, tha Sh.T.
Edhe pas kishte rënë në tokë, ajo thotë se i akuzuari kishte shkrepur sërish armën në drejtim të saj, e që më pas e kishte goditur me dorezën e armës në kokë tetë herë.
“U ardhë edhe njëherë kur jam rrëzu unë, më ka goditë në dorë këtu dhe më ka rrokë edhe në këtë anën këtu, e kam të shpune. Edhe E., e ka marrë telefonin atëherë edhe ka thënë mami po e thirri Policinë. Edhe unë kam thirrë njerëzit sa kam mujt për me më ndihmu, e kam thirrë E., apet, i thojsha hajde mas meje se nuk e pajsha ma, edhe Idizi ma ka kapë dorën e djathtë edhe më ka rreh me armë kokës. Unë kam mendu që është një njeri tjetër duke më dhanë ndihmë. Idrizi u ardhë edhe më ka goditë tetë herë në kry”, tha dëshmitarja Sh.T.
Sipas saj, shkak ishte xhelozia. Ajo tha se dy ditë para kësaj ngjarje, kishte pasur probleme me tani të akuzuarin për arsye xhelozie lidhur me telefonin.
Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi njoftoi që e dëmtuara ka kërkuar përcjellje nga Policia një ditë para se të mbahet shqyrtimi i sotëm (12 mars).
Lidhur me këtë, e dëmtuara tha se ka pasur shqëtësime nga ana e famlijes së të pandehurit.
“Nonstop familjes tem i kanë shku te shpia, i kanë çu njerëz tërë kohën, duke i thënë që na kena me sulmu atë, si të dalë nga aty (gjykata), nëse e dënon babën tem dhe kanë thënë për djalin (E.A) gjithçka, as nuk është më i sigurt djali, as vëllezërit, as kurrkush nëse dënohet baba jem”, tha dëshmitarja.
Gjyqtarja Bytyqi paralajmëroi fëmijët e të pandehurit që të mos kontaktojnë më asgjë më palën e dëmtuar dhe me dëshmitarët.
“Unë po ju paralajmroj, le të jetë hera e fundit. Unë nuk dua të paragjykoj a ka qenë e vërtetë apo jo, por prej tani po ju paralajmëroj që asnjë kontakt në raport me palën e dëmtuar, as me familjarë. Mos thuani nuk e kemi ditur. Jo vetëm me të dëmtuarën, po edhe me palët të cilët do të dëgjohen”, tha gjyqtarja Bytyqi.
Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje, të Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë i ka përcjellë nga mbrapa.
Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.
Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.
Me këtë, i pandehuri Alija po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.
Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.
Për këtë veprim, i pandehuri Alija po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi