Misionit i Fondit Ndërkombëtar i prirë nga Gabriel Di Bella e ka vizituar Kosovën gjatë muajve shtator dhe tetor për të diskutuar mbi rishikimet e para të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë që Kosova ka me FMN-në.
Ekipi i FMN-së, pas përfundimit të Misionit, ka konstatuar që zgjedhja e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës ka shërbyer si shtysë për zbatimin e reformave fiskale dhe financiare në vend.
“Emërimi i Guvernatorit të ri të BQK-së dhe normalizimi i strukturave qeverisëse të BQK-së i ka dhënë shtysë të re zbatimit të reformave. Stafi i FMN-së pret që së shpejti do të miratohet Rregullorja e re e Punës, e cila do t’i qartësojë përgjegjësitë e Bordit Mbikëqyrës të BQK-së në raport me bordin ekzekutiv dhe që Ligji i ri për Bankat të dorëzohet në Kuvend në fillim të vitit 2024”, thuhet në komunikatën e FMN-së.
Aty është thënë që cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit të FMN-së.
“Bilanci fiskal dhe depozitat e qeverisë në BQK kanë mbetur mjaftueshëm mbi nivelin e tyre sipas programit gjatë 2023 dhe absorbimi i investimeve publike është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2022. Stafi i FMN-së pret që dy objektivat për fundin e vitit 2023 do të përmbushen. Gjithashtu, cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit”, thotë FMN-ja.