Ministria e Drejtësisë (MD) ka reaguar rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, pranë Dhomave të Specializuara.
Në njoftimin e MD-së, thuhet se deri më sot kjo ministri ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim.
Ndërsa, thuhet se pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta.
Ky reagim i MD-së, vjen pasi sot Gjykata Speciale njoftoi se avokati Ben Emmerson nuk do të jetë më mbrojtës i Kadri Veselit.
Sipas MD-së, avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson Kadri Veselin, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent).
“Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por paga e ulët nuk është një prej tyre”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i MD-së:
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes këtij reagimi demanton lajmet e pabaza dhe tendencioze që po përhapen rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim. Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta.
Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por paga e ulët nuk është një prej tyre.
Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent).
Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale.
Për më tepër, Ministria e Drejtësisë me vëmendje të veçantë përcjell çdo veprim brenda Gjykatës Speciale dhe është e përkushtuar të bëjë punën më të mirë të mundshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ish-krerëve të UÇK-së, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje të plotë në çdo hap të këtij procesi.