Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka kërkuar nga të gjithë por në veçanti nga deputetët e Vetëvendosjes që qëndrimet zyrtare t’i shprehin në takime zyrtare me përfaqësues të NATO-së dhe KFOR-it.
Reagimi i Miftarajt vjen pasi disa deputetët të VV-së reaguan ndaj KFOR-it pasi bën të ditur se po shqyrtojnë kërkesën e Serbisë për kthimin e 1 mijë trupave në Kosovë.
Miftarja thotë se as KFOR as NATO nuk i shohin qëndrimet apo kërkesat e deputetëve të VV-së në FB (Facebook) dhe kësisoj ai thotë se ata duhet këto qëndrime t’i shprehin në takime zyrtare.
“As KFOR as NATO nuk rrinë kujdestar në Facebook ose media tona me i lexu dhe filtru kërkesat e deputetëve apo anëtarëve të VV. Qëndrimet zyrtare tregohen në takime zyrtare me përfaqësues të NATO-s dhe KFOR-it.”, ka shkruar ai.
Më tej, ai ka thënë se tema është serioze dhe një parti politike serioze i trajton temat përmes rrugëve institucionale.
“Një parti politike serioze në tema serioze që prekin sigurinë nacionale i trajton përmes rrugëve institucionale.”, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se deputetë të VV-së kërkuan nga KFOR-i që t’i largojë barrikadat ose le të lëshojë rrugë.
Po ashtu, ata i reaguan KFOR-it duke ia rikujtuar mandatin që e ka në Kosovë.