Pas pushimeve disa javore e disa mujore në Kosovë, mërgimtarët tashmë kanë filluar të kthehen në shtetet ku jetojnë e punojnë, shkruan GazetaDemos.
Disa prej tyre udhëtimet i bëjnë me aeroplan, ndërkaq një pjesë e madhe edhe me makina.
GazetaDemos dje ka qëndruar në pikën kufitare në Merdare, për të parë nëse pritjet janë të gjata e poashtu për të pyetur mërgimtarët për eksperiencën e tyre gjatë kësaj vere në Kosovë.
Njëri nga mërgimtarët, i cili po udhëtonte për Gjermani, tha se pritjet nuk janë shumë të gjata, derisa tregoi se Kosovën e viziton 4-5 herë në vit.
Mes tjerash, ai tha se këtë vit çmimet në Kosovë kanë qenë më të shtrenjta, mirëpo kishte edhe disa kritika për disa nga qytetarët e Kosovës.
“Shteti i Kosovës është dashur shumë më herët me i përmbush kriteret për popull, mirëpo e shoh se është duke punuar në atë drejtim. Shteti nuk mundet me e mbajtë popullin, populli duhet me u mësu më punu më shumë, mos me e mbajt veç një punë. Na që jemi në Gjermani i mbajmë 2-3 puna, për mos me u anku, e këtu e mbajnë veç një punë dhe thojnë jo s’po ka. Duhet me punu 2-3 puna për me e pas lehtë me jetu”, potencoi mërgimtari.
Ai poashtu bëri një krahasim edhe për pushimet që kalojnë qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët që jetojnë në diasporë.
“Këtu në Kosovë shumica shkojnë në pushime verore, në bregdetin shqiptar ose në Ulqin, shkojnë 4-5 herë, a të gjithë mërgimtarët që janë duke pritë këtu 1 herë janë shku, kanë mujtë me shku 1 herë në vit… Kush ka mundësi le të shkon edhe 10 herë në muaj”, tha mes tjerash ai.
Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të tij: