Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj, ka zyrtarizuar kandidaturën për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mavraj në garën për karriken e deputetit, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të partisë, “Lista për familje” të Eman Rrahmanit.
Mavraj ka thënë se pas futbollit dëshiron që t’i dhurojë diçka të re vendit, vlerave dhe institucionit të familjes.
”Si lojtar pata nderin e madh të mbaja vlerat dhe flamurin tonë lart në fushën e futbollit. Por përgjegjësia ime nuk mbaron me karrierën time aktive. Tani, pas futbollit, dua t’i jap diçka të re vendit tim, vlerave të mia dhe institucionit të familjes.Dikush mund të mendojë se tani “ka kaluar nga futbollisti në politikan”.
Por unë dua të jem shumë i qartë: Asnjëherë nuk jam definuar vetëm si futbollist dhe nuk do të definohem as si politikan. Titujt janë të rëndësishëm, por nuk janë thelbësorë për mua. Unë e shoh veten thjesht si dikush që ka përgjegjësinë të nxisë të mirën dhe të luftojë të keqen. Dhe këtë nuk mund ta bëj vetëm – këtë mund dhe duhet ta bëjmë të gjithë së bashku.”, ka shkruar ai.