Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se seanca për konstituimin e kuvendit ka dështuar për dy arsye. Arsyeja e parë sipas tij është se koalicioni nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare. Ndërsa si arsye të dytë, Krasniqi e radhit “insistimin” për të mbajtur postet qeveritare dhe për t’u betuar si deputetë.
“Larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë. Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sot për dy arsye të vetme: E para: Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre. E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet.:
Krasniqi e ka ftuar Qeverinë në detyrë që të japë dorëheqje zyrtare nga postet qeveritare, të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojnë kuvendit dhe pastaj të vazhdohet me fazat tjera për themelimin e qeverisë.
“Në vend se të kërkojnë zgjidhje kundërkushtetuese për një situatë që e kanë krijuar vetë, është koha që të sillen me përgjegjësi. PDK nuk do të mbështesë asnjë proces që bie ndesh me Kushtetutën, siç u tentua të ndodhte sot, andaj i ftojmë qeverinë në detyrë, që: 1. Të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare; 2. Të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin; 3. Pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë”
PDK kërkon formim sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme, funksionale dhe të dala nga vullneti i qytetarëve – jo për improvizime jokushtetuese dhe lojëra politike që e vonojnë formimin e tyre. PDK kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.”