Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mos zgjidhjen e problemit të grevës.
Ai në RTK ka theksuar se greva në arsim do të ishte anashkaluar nëse Qeveria do të tregonte mirëkuptim.
“Mësimdhënësit nuk i kanë hyrë grevës se nuk kanë çfarë të bëjnë, por sepse po ballafaqohen me barrën e vështirë të lidhjes së muajit me muaj sepse është inflacion i tmerrshëm”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se për të dalë nga gjendja ekzistuese duhet t’i hapet rruga dialogut social dhe se rruga normale do të duhej të ishte hiqja e arrogancës nga kryeministri Kurti.
“Pra të kërkohej mirëkuptim nga sindikalistët, e jo merre ose leje. E kam bërë këtë pako, merre ose lere. Kjo nuk është rrugë e drejtë”, u shpreh ai.
Greva në arsim ka nisur më 25 gusht me kërkesat për 100 euro shtesë për punonjësit arsimorë deri në miratimin e ligjit për pagat.
Kryeministri Kurti vazhdimisht ka refuzuar të plotësojë kërkesat, duke ofruar një zgjidhje prej 50 euro si pjesë e pakos, të cilën SBASHK-u nuk e ka pranuar.