Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është takuar me Ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abott, ku kanë diskutuar rreth projekteve të cilat janë duke u realizuar dhe atyre që pritet të fillojnë.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka shkruar se Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj për ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë.
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj të pakursyer në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë, përmes ofrimit të trajnimit për ushtarët, shkollimit për oficer përkrah ushtrisë britanike dhe investimit në projekte të rëndësishme për Ministrinë e Mbrojtjes. Në kuadër të këtij bashkëpunimi sot takova Ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abott, me të cilin diskutuam rreth projekteve të cilat janë duke u realizuar dhe atyre që pritet të fillojnë, si dhe mundësisë së mbështetjes financiare nga qeveria britanike për projektet që planifikojmë t’i realizojmë në të ardhmen”, ka shkruar ai.
Tutje ministri Mehaj ka thënë se gjithmonë mbesin të përkushtuar në bashkëpunim të ngushtë me shtetet partnere.
“Mbesim të përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me shtetet partnere me qëllim të ngritjes së infrastrukturës së nevojshme për ushtrinë e shtetit tonë”, ka shkruar Mehaj.