Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë.
Dy nga tre autorët e dyshuar, Mefail dhe Edonis Shkodra, të cilët aktualisht ndodhen në arrati, kishin qenë më herët në paraburgim, por u liruan me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në reagim, Ministria e cilëson këtë vendim si “të pakuptueshëm dhe të papranueshëm”, sidomos duke marrë parasysh se të dy të dyshuarit ishin nën hetim për vepra të rënda penale, përfshirë fajdenë dhe detyrimin.
Sipas ministrisë, lirimi i tyre përbën “neglizhencë të rëndë institucionale” që ka sjellë pasoja tragjike dhe të pariparueshme.
MD ii ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në këtë vendim, duke theksuar se përgjegjësia “duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”.
Ministria ka apeluar gjithashtu që forcat politike të ndalin pengesat ndaj reformave në sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar reformën si “domosdoshmëri” për garantimin e sigurisë dhe të ardhmes së qytetarëve.