Kampi që shërbente si shtëpi për qindra afganët e strehuar në Kosovë, u mbyll.
I ngritur në bazën amerikane Bondsteel në Ferizaj, Liya mbylli dyert pas dy vjetësh, edhe pse jo të gjithë banorët arritën të largoheshin nga Kosova.
Dhjetëra syresh mbeten ende në vend dhe, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, “ata vazhdojnë të marrin kujdes dhe ndihmë nga SHBA-ja”.
Por, se ku gjenden dhe cili është plani për ta, nuk është e qartë.
Ministria e Brendshme e Kosovës tha vetëm se ata janë të lirë të lëvizin.
Si përfunduan në Kosovë?
Nga fundi i verës në vitin 2021, kur në Afganistan morën pushtetin militantët talibanë, në Kosovë u strehuan afro 1.900 afganë.
Ata ishin kryesisht persona që kishin punuar me personelin ndërkombëtar, përpara se ai të largohej nga Afganistani, si dhe familjarë të tyre.
Ata u vendosën në kampin Liya dhe në një kamp tjetër pranë, Bechtel-Enka, i cili u mbyll më herët.
Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.
Marrëveshje të tillë, SHBA-ja kishte edhe me disa shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë.
REL-i raportoi në muajin gusht se të gjithë afganët, përveç rreth 30 prej tyre, janë riatdhesuar nga Kosova në vende të treta.
Siguria dhe privatësia
Ndryshe nga koha kur ishin në kampe dhe nuk mund të dilnin jashtë, afganët tani mund të lëvizin lirshëm në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha se, për arsye të sigurisë dhe privatësisë së tyre, nuk mund ta zbulojë lokacionin se ku gjenden, por konfirmoi se “një numër i vogël i tyre” vazhdon të mbetet në Kosovë.
Reklama
“Siguria për këta qytetarë nuk dallon nga siguria e përgjithshme për qytetarët e Kosovës dhe, aktualisht, nuk ka asnjë shqetësim në këtë aspekt. Ata mund të lëvizin në vendin tonë, bazuar në ligjet në fuqi, dhe nuk kanë kufizime të veçanta”, thuhet në një deklaratë të MPB-së dhënë Radios Evropa e Lirë.
Aty konfirmohet se, në bazë të marrëveshjes me SHBA-në, në Kosovë kanë hyrë gjithsej 1.893 afganë.
“Shumica e qytetarëve afganë, deri më tani, janë transferuar në vende të ndryshme të NATO-s dhe në SHBA”, tha MPB-ja, por nuk dha hollësi se çfarë është duke u bërë me grupin që gjendet ende në Kosovë.
Marrëveshja SHBA-Kosovë për këtë çështje fillimisht ishte për një vit, ndërsa u zgjat edhe për një vit tjetër në gusht të vitit 2022.
Reklama
Pastaj, siç mori vesh REL-i, u arrit pajtimi për vazhdimin e qëndrimit të qytetarëve afganë edhe për një kohë në Kosovë.
DASH kujdeset për afganët e mbetur në Kosovë
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja është duke punuar “për të identifikuar zgjidhje të duhura dhe afatgjata” për afganët që vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë.
“Për arsye sigurie dhe privatësie, ne nuk mund të japim specifika për rastet në fjalë. Një numër i vogël i afganëve mbeten në Kosovë dhe vazhdojnë të marrin kujdes dhe ndihmë nga SHBA-ja”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
Nga ky institucion kanë thënë më herët për REL-in se për afganët, që u refuzohet zhvendosja në SHBA për shkak të moskalimit të verifikimit të sigurisë, Departamenti amerikan i Shtetit është në kërkim të shteteve që mund t’i pranojnë ata.
Kush ishin afganët e strehuar në Kosovë?
Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët afganë që u strehuan në Kosovë, ishin kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001.
Agjencia Associated Press raportoi në tetor të vitit 2021 se dhjetëra afganë që janë dërguar në Kosovë, kanë pasur probleme të sigurisë gjatë procesit të verifikimit.
Atëkohë, gazeta New York Times raportoi po ashtu se “dhjetëra persona, që duket se kanë pasur të kaluar kriminale apo kanë pasur lidhje me militantët, janë dërguar në një bazë në Kosovë, ku fati i tyre është i pasigurt”.
Për këtë çështje, në nëntor të vitit 2021, foli zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili tha se autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve të vendosur në Kosovë, përpara se të transferohen në një vend të tretë.
Çka ndodhi në Afganistan?
Pas 20 vjetësh luftë, talibanët arritën fitore në Afganistan.
Grupi mori kontrollin e Kabulit më 15 gusht të vitit 2021.
Kjo ndodhi pasi forcat e huaja u tërhoqën nga Afganistani në bazë të një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe talibanëve, e cila u arrit dy dekada pasi forcat amerikane i rrëzuan militantët nga pushteti.
Konflikti që zgjati nga viti 2001, la të vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe të zhvendosur miliona të tjerë.
Forcat talibane u zotuan se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet një bazë për terroristët që mund ta kërcënojnë Perëndimin.