Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, mbajti takimin e 135-të me radhë.
Fillimisht, KPK-ja mori vendim bazuar në Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, për shpalljen e konkurseve për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga data 16 tetor deri më datën 3 nëntor 2023, si dhe themeloi panelet vlerësuese dhe komisionet përkatëse për rishqyrtim për këto dy konkurse.
Po ashtu në këtë mbledhje anëtarët e KPK-së vendosën për shpalljen e brendshme për avancimin e dy prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe dy prokurorëve të tjerë në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë
KPK-ja aprovoi kërkesën për klasifikimin e vendeve të punës dhe ndryshim-plotësimin e Planit të personelit administrativ të sistemit prokurorial për vitin 2023 dhe propozimin për dërgimin e një letre urgjente te Presidentja e vendit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, z.Blerim Isufaj, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
KPK-ja po ashtu aprovoi dërgimin e propozimit po ashtu te Presidentja e vendit për lirim nga detyra të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me rastin e pensionimin të tyre gjatë muajit nëntor 2023.