Ka mbajtur mbledhjen e parë, Komisioni Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se arsye e mbledhjes së tyre ishte për të çuar përpara një vendim të rëndësisë së veçantë, për një çështje shumë të dhimbshme e tejet të ndjeshme për të gjithë ne.
”Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri, e mënyra se si ne i kujtojmë ata tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë. Andaj është detyrë e secilit prej nesh, për lirinë e paqen që e gëzojmë, që gjithmonë të kujtojmë sakrificën e popullit tonë”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara dhe se vrasjet fëmijëve gjatë luftës janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
Tutje ai ka falënderuar nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci që ka pranuar ta kryesojë këtë Grup Punues.
”Jemi thellësisht të nderuar që Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci ka pranuar ta kryesojë këtë Grup Punues. Ajo është në Strasburg, ku të martën, më 11 tetor 2022, na bëri pafundësisht krenar. Nëpërmjet saj, për herë të parë u dëgjua zëri i Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Kryeministri Kurti.
E mbijetuar e masakrës së 28 marsit 1999, kur 7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”. Në këtë masakër Saranda humbi 16 anëtarë të familjes, e u mbijetoi 16 plumbave. Ajo do të kryesojë grupin punues që do të jetësoj projektin e Memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Grupit Punues, i mandatuar me hartimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.