Që nga zgjerimi i Rregullores së Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti është dyfishuar numri i punëtorëve nga rajoni në Gjermani.
Nga qershori deri në nëntor 2024, autoritetet gjermane dhanë 25.000 leje pune për qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi, aq sa për të gjithë vitin e kaluar.
Sipas informacioneve, shumica e punëtorëve migrantë kanë ardhur nga Kosova (5,564).
Kërkohet zgjerim i Rregullores
Të dhënat dalin nga përgjigja e Ministrisë Federale të Punës sipas një kërkese të liberalëve. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor e ofruar nga qeveria gjermane në vitin 2016 u ofrua për të ulur numrin e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit.
Ajo cilësohet si “sukses i plotë” nga zëvendëskryetari i partisë liberale, Konstantin Kuhle, i cili kërkoi madje rritjen edhe më tej të kontingjentit të punëtorëve jo vetëm nga Ballkani, por edhe vende të tjera.
“Kuptimi i kësaj rregulloreje të Ballkanit Perëndimor është që duke lehtësuar qasjen në tregun gjerman të punës të reduktojmë migracionin e parregullt në sistemin e azilit”, është shprehur Kuhle.
Kjo rregullore mundëson marrjen e vizës së punësimit në Gjermani pavarësisht kualifikimit. Kusht për këtë është një ofertë konkrete pune apo një kontratë pune. /DW