Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Mbi 50 organizata reagojnë: Dehari instrument i bllokadës, Gjykata ishte e qartë, zgjedhja e kryetarit me votim të hapur

    30/06/2025 17:19
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp
    Mbi 50 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar që Kuvendi të mos “mbahet peng”, në një reagim të përbashkët në të cilin u tha se “bllokada institucionale po e cenon rendin demokratik”.

    Ndërsa e konsiderojnë të “domosdoshëm” aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, OJQ-të thonë se ajo “theksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues”.

    “Gjykata theksoi se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”, thuhet në ragim.

    Kryesuesi i seancë konstituive të Kuvendit, Avni Dehari “ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare”, thonë organizatat e shoqërisë civile.

    “Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”, thuhet në reagim.

    Me veprimet e tij, ato konsiderojnë se Dehari “nuk ka qenë një lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës”. “Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive”.

    “Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit”, thuhet në reagim.

    “Për më tepër, krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje”, thuhet tutje në reagim.

    Më datë 28 qershor, në vazhdimin e seancës konstituive, “u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thonë këto OJQ.

    “Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues”.

    “Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional”, thuhet në reagim.

    Kuvendi “nuk është pronë e askujt”, theksojnë OJQ-të. “Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis”.

    “U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar”, thuhet në fund të reagimit.

    Artikuj të ngjashëm

    Siguria e gazetarëve vazhdon të jetë e brishtë, thotë AGK-ja

    Granit Xhaka dhe Leonita të dashuruar si kurrë me parë

    Dy shtetas të Kosovës kapen në Durrës me rreth 23 mijë franga të padeklaruara

    Të Fundit

    Siguria e gazetarëve vazhdon të jetë e brishtë, thotë AGK-ja

    Granit Xhaka dhe Leonita të dashuruar si kurrë me parë

    Mbi 50 organizata reagojnë: Dehari instrument i bllokadës, Gjykata ishte e qartë, zgjedhja e kryetarit me votim të hapur

    Dy shtetas të Kosovës kapen në Durrës me rreth 23 mijë franga të padeklaruara

    Turqia në luftë me zjarret

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.