Raportimet për persona të zhdukur brenda 24 orësh, ashtu siç përcaktohet me Kodin Penal dhe ligjet në fuqi, për të shpallur të humbur një qytetar në Kosovë, janë në rritje.
Kjo dëshmohet në raportet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe lajmet e shumta në media kur qytetarët i raportojnë të zhdukur familjarët e tyre në përpjekjen e tyre për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tyre, raporton Kiks Kosova.
Por cilat janë shkaqet dhe arsyet që po ndikojnë në rritjen e kësaj dukurie në Kosovë?
Për institucionet e rendit, arsyet janë të llojllojshme.
Dhe me të drejtë edhe mund të aludojmë që njëra nga to mund të jetë edhe dhuna në familje.
Kjo nëse kihet parasysh fakti se kërkesat e mëdha u dorëzuan gjatë vitit në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë, mekanizëm ky që funksionon në kuadër të Prokurorit të Shtetit.
Burhan Maxhuni, i cili ushtron detyrën e menaxherit të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, ka thënë se kërkohet një hulumtim më i detajuar i ikjeve, pasi sipas tij, nëse krahasohen shifrat e raportuara, indikatori kryesor i zhdukjeve mund të jetë dhuna në familje.
Shifrat duken alarmante sipas këtij mekanizmi. Maxhuni ka theksuar se vetëm për nëntë muaj gjatë 2023-tës më shumë se 1500 femra janë paraqitur në zyrat e mbrojtjes për të kërkuar ndihmë.
Ky mekanizëm është i shtrirë në 6 regjione të vendit dhe merret me trajtimin e viktimave të dhunës në familje, trafikimit me qenie njerëzore, abuzimet, keqtrajtimet e fëmijëve, dhunimet dhe vrasjet.
Pas trajtimit të rasteve, kërkesat e viktimave janë kryesisht sigurimi i një vendqëndrimi të sigurt, thotë Maxhuni.
Megjithëse, sipas tij, këto kërkesa nuk arrijnë të realizohen nga ta, për shkak të mungesës së buxhetit.
Megjithëse vëllimi i punës është i madh, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave po ballafaqohet edhe me një problem ekzistencial, siç është mungesa e kuadrove dhe stafit.