Kylian Mbappe nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Edicioni i ardhshëm i garës më të madhe të sportit global do të mbahet vitin e ardhshëm në Paris dhe të gjithë presin që ylli i Paris Saint-Germainit të jetë lojtari më i madh i kombëtares franceze.
“Të gjithë e dinë se gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Olimpiadë. Nuk varet nga unë, janë parametrat që hyjnë në lojë dhe nuk e detyroj askënd. Nëse nuk duan që të jem prezent, kjo nënkupton se nuk do të jem. Por, për mua do të ishte një ëndërr”, deklaroi Mbappe për “France 3”.
Në Lojërat Olimpike, Kombëtaret e futbollit marrin pjesë me ekipet e të rinjve, por që kanë të drejt të inkuadrojnë me numra të kufizuar edhe lojtarë më me përvojë.
Mbappe e ka fituar titullin e kampionit të botës me skuadrën seniore të Francës, ndërsa në Katar u shpall nënkampion bote.
Ish-futbollisti i Monacos dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë e artë pasi Olimpiada e radhës do të mbahet pikërisht në Paris, që të marrë pjesë dhe pse jo, t’ia sjell Francës dhe t’ia sigurojë edhe vetes medaljen e artë olimpike.