Materiali për 31 të plagosurit në Burgun e Dubravës që u trajtuan në Kirurgjinë Vaskulare (12. Ajet Ibraj)

Mjeku i njohur, Salih Krasniqi i cili është edhe profesor i njohur dhe kirurg-laparoskopist, e ka hartuar një listë prej 31 personave të plagosur në Burgun e Dubravës në vitin 1999.

Të dhënat janë nxjerrë nga protokolli i të sëmurëve në Repartin e Kirurgjisë Vaskulare.

Gazeta Demos publikon ekskluzivisht këtë material, i cili nxjerr në pah të dhëna historike të papublikuara deri më tash.

Gazeta Demos në 31 vazhdime do të sjellë të dhëna për secilin nga këta të burgosur.

Materiali ku janë përfshirë 31 të plagosur nga Burgu i Dubravës.

Është karakteristike se të gjithë shqiptarët që ishin në burgun e Dubravës së Istogut dhe kishin pësuar plagë, sipas policisë serbe, ishin plagosur nga projektilët e NATO-s, ndërsa ndihma e parë mjekësore iu është dhënë pas disa ditësh. Veçanërisht të dhënat janë nxjerrë nga protokolli i të sëmurëve në Repartin e Kirurgjisë Vaskulare. Në shumicën e dokumenteve shkruan se të sëmurët pas 1-5 ditësh qëndrimi në Klinikë janë lëshuar nga Klinika, për t’i marrë sërish policia. Ata dërgohen në burg, por nuk ka shënime se në cilin vend janë dërguar.

Veçori tjetër është se bombardimet e NATO-s nuk kanë plagosur policë serbë apo gardianët serbë, pasi nuk kemi të dhëna që është sjellë ndonjë i plagosur prej tyre në Klinikën e Kirurgjisë.

Dhe veçoria tjetër është se zyrtarët serbë shkruajnë se plagët i kanë pësuar nga bombardimet në burg, kurse të burgosurit kishin plagë edhe prej armëve me kalibër të vogël, siç janë revolet apo pushkët automatike. Kjo do të thotë se shqiptarët ishin në mëshirën e zotit, pasi ishin të sulmuar nga bombardimet e NATO-s dhe, në anën tjetër, prej atyre që i ruanin nëse shpëtonin nga bombardimet.

“Klinika e Spitalit të Prishtinës ishte e stërmbushur, të plagosurit shqiptarë kthehen në burg”.

Në vazhdim sjellim të dhënat për Ajet Ibrajn nga Peja.

12. Ajet Ibraj, 1974, 25 vjeçar, nga Komuna e Pejës.

Pacientin e sjellin nga Burgu i Dubravës së Istogut policia serbe në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare më 26.05.1999. Ky pacient qëndron në Klinikë deri më 31.05.1999. Në historinë e sëmundjes shkruan se pacienti ka deklaruar se plagët i ka marrë 6 ditë më herët dhe është mjekuar në mënyrë ambulantore, ndërsa në fletë lëshim shkruan se lëndimi ka ndodhur 4 ditë më parë gjatë bombardimit në Burgun e Dubravës së Istogut nga ana e NATO-s. Diagnoza e pranimit është Dg: Vulnus explosivum digiti III et IV manus sin. Phlegmona manus sin. Op: Amputatio digiti III et IV manus lat.sin. (Plagë eksplozive e gishtit III dhe IV të dorës së majtë. Pezmatim i dorës së majtë. Operimi: Amputimi i gishtit III dhe IV të dorës së majtë). Pas 5 ditë qëndrimi në Kirurgji e merr personeli i Burgut dhe e dërgon prapë në burg. Nuk dihet se ku është dërguar.

Vazhdon…

Reklama