Materiali për 31 të plagosurit në Burgun e Dubravës që u trajtuan në Kirurgjinë Vaskulare (11. Hysni Dautaj)

Mjeku i njohur, Salih Krasniqi i cili është edhe profesor i njohur dhe kirurg-laparoskopist, e ka hartuar një listë prej 31 personave të plagosur në Burgun e Dubravës në vitin 1999.

Të dhënat janë nxjerrë nga protokolli i të sëmurëve në Repartin e Kirurgjisë Vaskulare.

Gazeta Demos publikon ekskluzivisht këtë material, i cili nxjerr në pah të dhëna historike të papublikuara deri më tash.

Gazeta Demos në 31 vazhdime do të sjellë të dhëna për secilin nga këta të burgosur.

Materiali ku janë përfshirë 31 të plagosur nga Burgu i Dubravës.

Është karakteristike se të gjithë shqiptarët që ishin në burgun e Dubravës së Istogut dhe kishin pësuar plagë, sipas policisë serbe, ishin plagosur nga projektilët e NATO-s, ndërsa ndihma e parë mjekësore iu është dhënë pas disa ditësh. Veçanërisht të dhënat janë nxjerrë nga protokolli i të sëmurëve në Repartin e Kirurgjisë Vaskulare. Në shumicën e dokumenteve shkruan se të sëmurët pas 1-5 ditësh qëndrimi në Klinikë janë lëshuar nga Klinika, për t’i marrë sërish policia. Ata dërgohen në burg, por nuk ka shënime se në cilin vend janë dërguar.

Veçori tjetër është se bombardimet e NATO-s nuk kanë plagosur policë serbë apo gardianët serbë, pasi nuk kemi të dhëna që është sjellë ndonjë i plagosur prej tyre në Klinikën e Kirurgjisë.

Dhe veçoria tjetër është se zyrtarët serbë shkruajnë se plagët i kanë pësuar nga bombardimet në burg, kurse të burgosurit kishin plagë edhe prej armëve me kalibër të vogël, siç janë revolet apo pushkët automatike. Kjo do të thotë se shqiptarët ishin në mëshirën e zotit, pasi ishin të sulmuar nga bombardimet e NATO-s dhe, në anën tjetër, prej atyre që i ruanin nëse shpëtonin nga bombardimet.

“Klinika e Spitalit të Prishtinës ishte e stërmbushur, të plagosurit shqiptarë kthehen në burg”.

Në vazhdim sjellim të dhënat për Hysni Dautajn.

11. Hysni Dautaj, pa datëlindje, pa adresë, në protokoll as në historinë e sëmundjes nuk ka të dhëna për datëlindjen dhe vendlindjen. Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare e ka sjellë policia serbe nga burgu i Dubravës së Istogut më 26.05.1999, për shkak të tumorit të qelbur (absceduar) të nofullës.

Pas shtrirjes në klinikë, pacienti ishte planifikuar të operohej, por si shkruan në fletëlëshim për shkak të situatës politike të krijuar, intervenimi kirurgjik shtyhet për më vonë dhe me kërkesë të organeve të burgut, pacientin pa u mjekuar e kthejnë sërish në burg. Diagnoza në protokoll shkruan: Dg: Tu abscedens regio submandibularis. (Tumefakt me qelb në nënnofull). Pacientin e nxjerr nga Klinika policia serbe më 10.06.1999 dhe nuk ka të dhëna se në cilin burg e dërgojnë.

Vazhdon…
Reklama