Pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës me dy komunat Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se këto ura bashkojnë më shumë qytetin dhe lehtësojnë lëvizjen.
“Dy ura më shumë që lidhin dy anët e lumit Ibër. Ura që bashkojnë më shumë qytetin e që lehtësojnë edhe më shumë lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin mallrave”, shkroi ai.
Edhe ministri në detyrë, Liburn Aliu, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se kjo po bëhet për një qytet më të lidhur, më funksional dhe më të jetueshëm për të gjithë banorët, e urat sipas tij, do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të të dy komunave dhe do shërbejnë si infrastrukturë në komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve, duke forcuar integrimin social dhe zhvillimin ekonomik në të dyja anët.