Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Serbia deri në momentin e tërheqjes së policëve nga institucionet, ka besuar që do ta marrë veriun me negociata.
Sipas tij, kjo ka ndryshuar kur është parë vendosmëria e Qeverisë për ta shtrirë ligjin në atë pjesë.
“Besoj që deri në momentin e tërheqjes së policëve nga institucionet, Serbia ka besuar që atë pjesë do ta marrë me negociim, përmes rrugës politike, pa pasë nevojë për veprime të tjera. Në momentin që është parë prezencë edhe vendosmëri e Qeverisë dhe institucioneve, për të shtrirë ligjshmërinë dhe rendin në veri të vendit, e ka bërë edhe hapin që vlerësoj që ka qenë hapi vendimtar i Serbisë në raport me veriun me tentativën për të okupuar, aneksuar pjesën veriore të vendit”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Maqedonci tutje shton se pasi Serbia dështoi ta marrë veriun me negocim, akti final i tyre ishte aneksimi i dhunshëm, me shpresën që Policia e Kosovës do të bëjë gabime taktike.
“Nuk ka qenë ideja kurrë që të integrohen, ideja ka qenë që të shfrytëzohen institucionet e Kosovës për të ardhur te një momentum i ri, kur do të mund ta ndante atë pjesë pa pasë nevojë për reagime agresive. Por humbja e mundësisë që përmes rrugës paqësore të shkëputë pjesën veriore të vendit tonë dhe shtrirja e rendit dhe ligjit në veri të vendit, ka shpërfaqur edhe aktin final që e ka pasur të menduar Serbia bashkë me këto grupet terroriste, për të bërë aneksim të dhunshëm të vendit tonë, gjithnjë me shpresën që Policia e Kosovës do të bëjë gabime taktike, në hapa për mposhtjen e këtij grupi dhe në këtë mënyrë do të nxisë qytetarët e veriut për t’iu bashkëngjitur këtij grupi dhe për të vendosur një momentum të ri në atë pjesë, ose që në do të dërgonim FSK-në në veri dhe të krijohej narrativi që shqiptarët po tentojnë aneksimin e dhunshëm të veriut”, ka thënë Maqedonci tutje.
“Kur parashikimi për këto dështoi, vlerësoj që edhe forcat e Radoiçiq u mposhtën”, ka shtuar ai