Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas, tha se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Maqedonci tha për TRT Balkan gjithashtu se pret që edhe vende të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje.
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, deklaroi Ministri Ejup Maqedonci.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një marrëveshje për aleancë ushtarake, e nënshkruar në Tiranë në muajin që shkoi.
Marrëveshja është kundërshtuar ashpër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.