Analisti politik, Agon Maliqi, beson se inteligjenca e NATO-s ka qenë në dijeni të organizimit të grupit terrorist i cili u fut ilegalisht në Kosovë sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj.
Sipas tij Aleanca Veri-Atlantike e ka përcjellur në çdo hap organizimin e këtij grupi terrorist dhe me gjasë ka lejuar hyrjen e tyre në Kosovë.
“Si ato operacionet kundër drogës që e ndjekin ‘mallin’ për me pa se ku po shkon dhe kush po përfshihet”.
Kësisoj Maliqi thekson se në fund inteligjenca e NATO-s kanë njoftuar Policinë e Kosovës për lëvizjet në fjalë të grupit terroristë, e cila më pastaj ka parandaluar çfarëdo suksesi për të krijuar realitet të ri në terren dhe me pasoja katastrofike për Kosovën.
“Ndërsa KFOR-i amerikan e ka menaxhuar gjithë situatën drejtpërdrejt me policinë. Ndërkohë që e gjithë Kosova nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte, deklarata e qartë e Hovenier në orët e para të mëngjesit se kjo ishte përpjekje për destabilizim rajonal të lë të kuptosh se dikush këtë situatë e kishte nën mbikëqyrje të plotë”.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.
Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.
Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori edhe vetë Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Ka pasur raportime për tërheqje, por ende s’ka zyrtarizim.
Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri.