Ish-fituesja e medaljes Olimpike tani në rolin e trajneres për xhudo, Majlinda Kelmendi si asnjëherë më parë ka folur për jetën e saj personale dhe rrugën e vështirë drejt sukseseve madhështore në përfaqësimin e Kosovës në këtë sport, raporton GazetaDemos.
Kelmendi, teksa fliste për endërrat e realizuara duke u përballur me idolin e saj, japonezen e famshme Misato Nakamura, tregoi se sa shumë ndikojnë emocionet e mëdha në gjendjen psiqike të një garuesi.
”Në gjysmë finalen në Lojra Olimpike në Rio, jam ndesh me japonezen Misato Nakamura, edhe për një kohë shumë të gjatë e kam pas idol. Kështu që para luftës me të, kam qenë shumë e emocionuar, edhe ka qenë goxha vështirë me e kontrollu atë ndjesi që e kam pas me u ndesh me idolin tem. Dhe, në momentin kur e kam fitu atë luftë ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm, nuk di me e përshkru”, u shpreh Kelmendi.
Madje, përveç ëndërrave të realizuara, Kelmendi tregoi edhe pjesën tjetër të kësaj medaljeje, atë të humbjes, e të mposhtjes, jo vetëm fizike, por edhe psiqike.
Ajo tha se më 2020, u përball me depresion të lartë, duke u detyruar të përdorte edhe terapi, pasi lëndimet e njëpasnjëshme dhe presioni, pothuajse e kishin mundur për nga gjendja emocionale.
”Në Tokio në 2020, në Lojëra Olimpike kam qenë shumë keq psiqikisht, nuk kam dashtë as me garu. I kam tregu Tonit, e kam vërejt që as s’ka dashtë me diskutu, por unë s’kam qenë mirë aspask. Fizikisht kam qenë top, por në Tokio isha lodhë prej gjithçkafit, prej lëndimeve… Për katër vite i kam pasë pesë operime. Kjo më ka lodhë shumë, edhe presioni mediatik… Thjeshtë kam dashtë me u tërhjek, por e kam pa që Toni nuk ka dashtë”, tregoi ndër tjera për Tëvë1 ajo.
Pasi shkoi në Tokio për të garuar, Kelmendi gjithashtu rikujtoi humbjen e saj atje, duke u eliminuar direkt nga gara.
Kjo humbje dhe presioni i mbledhur, Kelmendin atë kohë e kishte drejtuar drejt kërkimit për ndihmë psikologjike nga profesionistët.
”Pas Tokios e kam pas një periudhë shumë të vështirë, nuk kisha dashtë me fol shumë gjatë, mirëpo ka qenë periudha më e vështirë në jeten tem. Më është dashtë me shku te neuropsikiatri, te psikologu. Kam qenë me terapi, dhe kur e kam tejkalu atë fazë e kam pa që sporti është pjesë e rëndësishme e jetës, por jo gjithçka”, tha Kelmendi.