Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca mund të njohë zyrtarisht shtetin palestinez brenda pak muajsh, me shumë gjasa gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në qershor.
Në konferencën që pritet të mbahet në Nju Jork, pritet të diskutohet zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez.
Në një intervistë për televizionin France 5, Macron tha:
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm.”
Ai bëri të ditur se qëllimi i Francës është të bashkëkryesojë konferencën së bashku me Arabinë Saudite, duke shtuar se njohja e shtetit palestinez do të jetë pjesë e kësaj nisme.
Macron nënvizoi se vendimi i Francës për të njohur Palestinën nuk është vetëm i drejtë në thelb, por edhe pjesë e një dinamike kolektive që do të inkurajonte vendet që e mbështesin Palestinën.
“Kjo do të na lejojë të jemi të qartë në luftën kundër atyre që mohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, siç është rasti me Iranin dhe të angazhohemi për sigurinë kolektive në rajon.”
Franca, e cila prej kohësh mbështet zgjidhjen me dy shtete, ka qëndruar në këtë linjë edhe pas sulmit të 7 tetorit 2023, ku Hamasi sulmoi Izraelin.
Njohja zyrtare nga Parisi e një shteti palestinez do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në politikën franceze dhe pritet të shkaktojë reagime të ashpra nga Izraeli, i cili kundërshton lëvizje të tilla duke i cilësuar të parakohshme./euronews.al