Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka publikuar një video ku shihet bashkë me heroin Bekim Berishën “Abeja” i cili sot shënon 24-vjetorin e rënies.
Sipas Lushtakut videoja është bërë në kohën kur organizimi i luftës çlirimtare po merrte përmasa edhe në mërgim.
“Abeja veç robërinë nuk e duronte, siç nuk duronte as krimet mizore serbe në ish-Jugosllavi, për çka edhe ju bashkua luftës në Kroaci e në Bosnjë. Siç dëgjohet edhe nga zëri i tij, Abeja mendjen e zemrën e kishte në organizimin e luftës edhe në Kosovë”, shkroi Lushtaku në Facebook krahas videos.
“‘Mos të flejmë se çdo fillim është i vështirë…e unë jam i largum vetëm fizikisht se me shpirt atje qëndroj dhe për atë jetoj’, ishin disa nga fjalët e këtij burri që sot e para 24 vitesh ra në mbrojtje të tokës së Kosovës, bashkë me Bedri Shalën, Elton Zherkën e Përmet Vulën”, shtoi ai.
“Lavdi jetës dhe veprës së Bekim Berishës-Abesë, Bedri Shalës, Elton Zherkës e Përmet Vulës”, përfundoi ai.