Ish-kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, i është kundërpërgjigjur Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së saj të fundit se sistemi prokurorial nën udhëheqjen e ish-kryeprokurorit Lumezi nuk ka trajtuar seriozisht krimet e luftës në Kosovë.
Në kundërpërgjigjen e tij, Lumezi e kritikoi Haxhiun duke i thënë se i ka keqkuptuar kompentencat e kryeprokurorit e të qeverisë në raste të tilla.
Lumezi tha se me krimet e luftës merren prokurorët e shtetit, e jo kryeprokurori e as qeveria dhe se “kush e kupton ndryshe këtë është në keqkuptim të madh me parimet e drejtësisë”.
Tutje, Lumezi ka listuar edhe hapat që ka ndërmarrë ai për ndjekje penale të personave që kryen krime lufte në Kosovë.
Në fund, ish-kryeprokurori e pyeti ministren Haxhiu se “çfarë keni bërë ju përveç retorikes politike?”.
Reagimi i plotë i Lumezit:
Për dijeninë tuaj si Ministre e Drejtësisë, ndjekja e kryesve të veprave penale të krimeve të luftës e as të veprave tjera penale nuk ndërmirret nga Kryeprokurori i Shtetit dhe as nga qeveritë, por nga prokurorët e shtetit të cilët kanë kompetencë ekskluzive ligjore për ndjekjen e këtyre veprave penale. Kush e kupton ndryshe këtë është në keqkuptim të madh me parimet e drejtësisë.
Lufta e zhvilluar në Kosovës shkaktoi humbje dhe shkatërrime të mëdha. Mijëra civilë të vrarë në mesin e tyre fëmije, gra dhe burra të të gjitha moshave. Shumë të tjerë u plagosen. Mijëra qytetarë te tjerë u zhduken. Po ashtu qindra gra dhe burra u dhunuan ne forma të ndryshme. U shkatërruan dhe u djegën mijëra shtëpi, prona, ndërtesa dhe objekte të tjera të rëndësishme. Kosova përveç humbjeve njerëzore gjatë luftës kishte pësuar edhe humbje dhe dëmtime të mëdha materiale.
Është e vërtetë se trajtimi i krimeve të luftës ka shkuar ngadalë, për këtë treguesi më i mirë është numri i vogël i lëndëve të kryera.
Mungesa e vullnetit politik dhe krijimi i një bindjeje nga ndërkombëtarët se institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë paragjykime etnike dhe mungesë të kapaciteteve për ndjekjen dhe gjykimin e këtyre rasteve kanë qenë kruciale që ndërkombëtarët t’i marrin kompetencat ekskluzive ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e lëndëve të krimeve të luftës.
Fillimisht, misioni i UNMIK-ut i cili kishte marrë në administrim Kosovën menjëherë pas luftës ishte përgjegjës edhe për pjesën më të madhe të sundimit të ligjit. Ku në kompetencë ekskluzive kishte edhe trajtimin e krimeve të luftës, e më pas edhe misioni i EULEX-it, i cili po ashtu kishte kompetencë për trajtimin e këtyre rasteve deri në qershor të vitit 2018.
Menjëherë pas ardhjes time në krye të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe si Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e parë të arsyeshme trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, më 13 maj 2015 për herë të parë është themeluar Departamenti për Krimet e Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë caktuar prokurorët dhe personeli administrativ.
Janë dërguar prokurorët special në trajnime intensive nga kapitulli XV i Kodit Penal të Kosovës lidhur me veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura më të drejtën ndërkombëtare.
Është bërë regjistrimi i të gjitha rasteve që hyjnë në kuadër të Departamentit të Krimeve të Luftës.
Janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve, të cilat akoma janë fuqi. Janë dëgjuar me qindra dëshmitarë dhe të dëmtuar, kemi ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve – vijës komanduese të këtyre veprave penale.
Pas arrestimit të të dyshuarave, janë ngritur dhjetëra aktakuza dhe kemi pasur gjykime të suksesshme.Gjatë vitit 2018 kemi transferuar nga EULEX-i 918 lëndë të krimeve të luftës të natyrave të ndryshme dhe 2000 lëndë të personave të zhdukur.
Në vitin 2019 kemi rritur numrin e prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë e Speciale të Republikës së Kosovës dhe po të njëjtin vit është nxjerrë Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
Për identifikimi e këtyre rasteve kemi rritur bashkëpunimin me OJQ-të te cilat kanë mbledhur informacione për krimet e luftës dhe kemi intervistuar individët të cilët kanë informacione për këto raste.Kemi punuar edhe me dëshmitarë të cilët vazhdimisht janë duke dëshmuar në Prokurori.
Kemi ngritur edhe bazën e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe e kemi harmonizuar këtë databazë me atë të Policisë së Kosovës.
Të gjitha këto veprime na japin të drejtë për të besuar se institucioni i Prokurorit të Shtetit këtë vit dhe vitet në vijim do të jep rezultate konkrete në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe do të vendoset drejtësia për viktimat e luftës dhe familjaret e tyre.
Çfarë keni bërë ju përveç retorikes politike?
Më këtë rast, deklarimet e Ministres se Drejtësisë, shpërfaqin mosnjohuri të plotë të veprimeve të ndërmarra nga institucionet e drejtësisë, përkatësisht, Prokurori i Shtetit, duke minimizuar të gjitha të arritura shtetërore dhe institucionale nga koha e marrjes se kompetencave nga EULEX-i tek institucionet vendore.