Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës ta rrisë buxhetin për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Në projektbuxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 88 milionë euro për MKRS-në, e cila do të merret me organizimin e lojërave që do të mbahen për herë të parë në Kosovë.
“Për vitin 2024, vetëm për investime kapitale kemi ndarë 58 milionë euro në sport dhe infrastrukturë, sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030, duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë parlamentare më 16 nëntor.
Kurti tha se MKRS-ja do të vazhdojë të gëzojë buxhet më të madh në vitet e ardhshme, deri në përmbushjen e planit të investimeve që kapin vlerën e 250 milionë eurove.
Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) e shpalli Kosovën nikoqire të kësaj ngjarje sportive, që përfshin disa lloje sportesh, si xhudo, basketboll, boks, futboll, çiklizëm, etj.
Nga buxheti i shtetit, për gjashtë vitet e ardhshme, është planifikuar të investohen deri në 250 milionë euro. Kjo pasi që për organizimin e këtyre lojërave nevojitet infrastrukturë të cilën Kosova aktualisht nuk e posedon.
Me këto mjete financiare do të ndërtohen fusha sportive, stadiume, palestra, fusha tenisi, kompleks i pishinave olimpike dhe infrastrukturë përcjellëse.
Sa mund të përfitojë Kosova pas këtyre investimeve?
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfitimet financiare të këtyre investimeve do të vërehen gjatë viteve 2030-2040.
“Infrastrukturën të cilën po e ndërtojmë…. menjëherë në vitin 2031 kemi interesim nga Federata e Hendbollit për organizim të kampionatit botëror të hendbollit. Për këtë ne nuk do të kemi nevojë për investime infrastrukturore, mirëpo vazhdimisht do ta kemi mundësinë të sjellim sportistë dhe turistë në Kosovë”, thotë Osmani.
Investimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare do t’i sjellin Kosovës infrastrukturë për zhvillimin e 24 sporteve të ndryshme.
Ky investim do ta shndërrojë Kosovën, sipas Osmanit, në një qendër të organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare sportive.
Numri i sportistëve pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare, në rritje
Në Lojërat Mesdhetare të cilat pritet të mbahen nga 24 korrik deri më 5 gusht 2030, Osmani thotë se presin pjesëmarrjen e pesë mijë sportistëve.
Sipas Osmanit, ky numër është më i madh sesa në Lojërat Mesdhetare që janë mbajtur në Tarragona të Spanjës dhe në Oran të Algjerisë. MKRS-ja pret që Kosovën ta vizitojnë mbi 18 mijë njerëz në atë kohë.
”Do të jetë mundësi ideale për bizneset e gastronomisë që të ringjallen e të përfitojnë në atë kohë”, thotë Osmani.
Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente. Numri i sportistëve në Lojërat Mesdhetare e cila zhvillohet çdo katër vjet është rritur. Së fundi, në lojërat që u zhvilluan më 2022, në Oran të Algjerisë, morën pjesë 3.298 sportistë.