Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosformimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se arroganca e numrave, Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij po e bëjnë të pandjeshëm ndaj gjendjes ku është Kosova.
“Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Disave matematika nuk po ju vlen, 48 nuk janë 61. Kur një parti është e para, me 42.2%, ka përgjegjësi për të ftuar partitë tjera më të vogla, për të arritur 50% plus 1, numër i cili i jep kredibilitet për ndërtimin e institucioneve, Kuvendin dhe Qeverinë”.
“Arroganca e numrave, Kurtin dhe bashkëmendimtarët e tij po e bëjnë të pandjeshëm ndaj gjendjes ku është Kosova, me sanksione dhe varfërinë më të madhe në Evropë. Kurti dhe VV, kanë rastin të ofrojnë zgjidhje për daljen nga kriza dhe të dëshmojnë se e duan më shumë shtetin se pushtetin”, ka thënë Lladrovci.
I njëjti shtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi në kohën kur ishte edhe kryeministër i vendit me 58 deputetë kishte formuar institucionet e reja të vendit.
“Krahasimi me Belgjikën rreth vonesave është më shumë se qesharak, GDP-ja e Belgjikës është 60 herë më e madhe se ajo e Kosovës, të ardhurat për frymë i ka 8 deri 9 herë më të larta se në Kosovë, ndërsa nga pavarësia, Belgjika numëron 53 kryeministra e Kosova 13”.
“Kjo gjendje e Kosovës nuk mund të jetë normale. Kosova nuk mund të matet me shtetet tjera, por, me përvojën e deritashme po. Me 58 deputetë, Hashim Thaçi i krijoi të gjitha institucionet dhe mori njohje ndërkombëtare duke u bërë faktor stabiliteti në rajon”, tha Lladrovci.
I pari i Drenasit kërkoi që Kurti ta ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare dhe Kosova të ecë përpara.
“Nëse i bën 61 vota, lë ta bëj edhe Qeverinë. Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Nëse mundeni, prishni atë që vet e keni ndërtuar, jo atë që e ndërtuan të tjerët!”, shtoi Lladrovci.