Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule, pranë shtatores së Heroit të Kosovës, dr. Hafir Shala, përcjellë nga familjarë dhe qytetarë të heroit, shkruan GazetaDemos.
Në shënimin e përvjetorit të kidnapimit dhe zhdukjes së heroit dr. Hafir Shala, Lladrovci ka shkruar: “Dr. Hafiri i takonte gjeneratës së mjekëve atdhetarë, i pandashëm nga fati i popullit të tij, duke dëshmuar guxim dhe vetëmohim për mjekimin e plagëve të luftës, duke qenë në radhët e para të mantelbardhëve çlirimtarë”.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së dr. Hafir Shalës, kujtojmë me nderim të thellë, kontributin e tij në shërbim të qytetarëve në kohë lufte, në veçanti për shëndetësinë luftarake, shërbimin shëndetësor në kuadër të UÇK-së.
Dr. Hafiri i takonte gjeneratës së mjekëve atdhetarë, i pandashëm nga fati i popullit të tij, duke dëshmuar guxim dhe vetëmohim për mjekimin e plagëve të luftës, duke qenë në radhët e para të mantelbardhëve çlirimtarë.
Është e vështirë që edhe sot, kur e kujtojmë në këtë përvjetor, nuk dihet asgjë për fatin e tij, përkundër shprehjes së shqetësimeve për të nga dita e kidnapimit të tij, në të gjitha nivelet. Kjo dëshmon se çfarë mendonte okupatori dhe veglat e tij për Dr. Hafirin.
I përjetshëm është kujtimi për dr. Hafir Shalën!/Demos/