Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se rrugët që lidhin Serbinë me Kosovën përmes pikave kufitare në Jarinjë dhe Merdar, të cilat ishin bllokuar më herët nga qytetarë serbë, janë liruar për qarkullim.
“Ju njoftojmë se sipas informatave, rruga që shpie nga magjistralja e Rashkës për në PKK Jarinjë është zhbllokuar dhe është liruar për qarkullim,” thuhet në njoftimin e QKMK-së.
Pak më herët, kjo qendër kishte njoftuar për bllokimin e rrugës në drejtim të Jarinjës nga qytetarë serbë, të cilët kishin shkaktuar pengesa serioze në lëvizjen e automjeteve, duke ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës.
“Ju njoftojmë se kemi informata nga disa qytetarë se magjistralja në Rashkë, në drejtim të Jarinjës, është e bllokuar nga disa qytetarë serbë. Ne kemi vërejtur më herët se qarkullimi i automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës është shumë i vogël, sepse kemi informata se vetëm nga qyteti i Novi Pazarit mund të qarkullojnë automjetet,” thuhej në një postim të mëhershëm të QKMK-së.