Rikandidimi i Xhafer Tahirit për postin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë ka nxitur reagime të menjëhershme në opinionin publik, përfshirë edhe nga gazetari Lirim Mehmetaj, i cili ka kritikuar ashpër vendimin e udhëheqjes së LDK-së për ta rikthyer atë në garë.
Me një reagim publik, Mehmetaj e ka drejtuar mesazhin e tij drejtpërdrejt kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke u shprehur i habitur me rikthimin e Tahirit në skenën politike lokale.
“Lumir, qyky çka po të duhet?”, shkruan ai, duke kujtuar një video-incizim të mëhershëm që sipas tij e implikon vëllain e Xhafer Tahirit në kërkim të parave për lëshim të lejeve të ndërtimit, në kohën sa Tahiri ishte në krye të komunës.
“‘Biri senet (paret) thuj, nisja punës, … mos të han’, thojke ai. Në atë incizim, që po get e paskan zhdukë nga interneti, ai flet për ‘kapje të parave’. D.m.th. një bisedë tipike e njerëzve që e shfrytëzojnë pushtetin për pasurim personal”, ka shkruar Mehmetaj.
Gazetari, i njohur për komentet e tij kritike në rrjete sociale, e quan vendimin e LDK-së për rikthimin e Tahirit një “shkelëm në fytyrë” për partinë, në një kohë që sipas tij, ajo po kalon një fazë të brishtë reformimi.
“Mo more Lumir se s’ki nevojë. Çka po të duhet ky kuadër i Vjosa Osmanit?”, ka shtuar më tej ai, duke e mbyllur reagimin me një premtim publik: “Pa e gjet prapë atë incizimin nuk e lo.”