Limaj: VV ka bërë një lojë të paskrupullt dhe tërësisht elektorale
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj thotë se situata aktuale politike, është fatkeqësi për shtetin e Kosovës.
Limaj tha Lëvizja Vetëvendosje po tregon hipokrizi kur bën thirrje në emër të interesit nacional, pasi sipas tij, janë po ata që kanë bllokuar vendin tash e 8 muaj.
“Sot është fatkeqësi, një gjë nuk është dashur t’i ndodhte demokracisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo është një tallje”.
“Me pas për një mend shqetësimin e qytetarëve, e atyre që rrezikojnë të mos i marrin pagat, dhe funksionimin e mirëfilltë të shtetit, partitë politike tash e 8 muaj do të ishin mbledhur dhe do e kishin bërë edhe një buxhet me konsensus edhe një qeveri me konsensus të përkohshme, dhe nuk do të kishin keqtrajtuar e malltretuar qytetarët. Kështu të gjithë ata që bëjnë thirrje, gjoja në emër të asaj të interesit nacional, ka hipokrizi të madhe”, u shpreh Limaj.
Sipas tij, VV-ja ka bërë një lojë të paskrupullt dhe tërësisht elektorale.