Lidhja e Bizneseve të Kosovës në Forumin Publik të OBT-së: Një Platformë për Lobim dhe Integrim Ekonomik

Në Forumin Publik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ku po marrin pjesë përfaqësues nga e gjithë bota, është e pranishme edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës me një delegacion të kryesuar nga Kryetari, Besart Dreshaj.
Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të njohur të biznesit kosovar: Artan Spahijaj (Devolli Group), Imer Ademaj (AlkoImpex), Murat Kuka (Kuka Shpk), Shaban Qetaj- kompania Loku SA, Xhavit Islami (Koordinator i Lidhjes për Gjenevë), Egzon Hoti – fabrika Birra Pejës(Devolli Group), si dhe Tahir Shabani – Instituti për Bashkepunim dhe Zhvillim ne France e Gjenevë.
Gjatë forumit, përfaqësuesit e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës kanë zhvilluar takime me personalitete dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme, duke prezantuar zhvillimet pozitive të sektorit privat në Kosovë dhe potencialin e tij për bashkëpunim ndërkombëtar.
Kryetari Dreshaj ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes që shtetet mike i kanë dhënë Kosovës në aspektin ekonomik e diplomatik, duke theksuar nevojën e forcimit të partneriteteve të reja në funksion të zgjerimit të tregtisë dhe integrimit ekonomik.
Pjesëmarrja e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës në këtë forum është një hap i rëndësishëm në drejtim të lobimit për fuqizimin e pozitës së biznesit kosovar në skenën ndërkombëtare dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ekonomik.