Presidentja Vjosa Osmani sot i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, pas kërkesës që ai ia parashtroi për “sugjerime” pas ndërprerjes së seancës së djeshme ku nuk u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Mosmiratimi i pikës së parë të rendit të ditës solli bllokim, prej të cilit Osmani po kërkon që të dilet.
Për këtë arsye, Osmani në këtë letër shprehi gatishmërinë që të presë kryesuesin Dehari dhe kryetarët e partive politike parlamentare për të diskutuar rrugën përpara.
“Në përmbyllje të kësaj letre, si Presidente e vendit dhe Kreu i Shtetit, në kuadër të kompetencave kushtetuese përkitazi me nenin 4, paragrafi 3 dhe nenin 84, paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time që t’ju mirëpres juve dhe kryetarët e partive politike parlamentare për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”, thuhet në letrën e Osmanit.
Duke përmendur Aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, Osmani ka ftuar që seanca konstitutive ta vazhdojë jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj.