Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhërarrest ndaj ish-prokurorit të Speciales, Ali Rexha për kërcënimin e Prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani, ka mësuar Paparaci nga burime të mirëinformuara.
Ai gjatë ditës ka kërcënuar me jetë prokurorit e shtetit Lulzim Sulejmani.
Siç mëson Paparaci, Policia tashmë është vënë në kërkim të Ali Rexhës.
Për këtë rast kanë reaguar edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të cilët e kanë dënuar kërcënimin ndaj prokurorit Sylejmani.
Sipas KPK-së, këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-prokurorit special, Ali Rexha.
“Këshilli Prokurorial qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit”.
“KPK-ja siguron opinionin publik se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor dhe kërkon nga organet kompetente që këtë rast ta trajtojnë me seriozitetin dhe urgjencën e duhur”, thuhet në kumtesën e KPK-së.