Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili ishte kontestuar nga vetë kjo parti opozitare. Sipas LDK-së, vendimi i Kushtetueses konfirmon shkelje të rënda të parimeve kushtetuese që garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës.
Në reagimin zyrtar të LDK-së thuhet se disa dispozita të ligjit të miratuar janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 7 të Kushtetutës, që përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese, si dhe me nenin 141 që garanton pavarësinë e KPM-së. Sipas vendimit, ndërhyrjet e konstatuara – përfshirë kompetencën e Kuvendit për të zgjedhur Kryetarin e KPM-së dhe rritjen e numrit të anëtarëve pa konsultim publik – përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të autonomisë së këtij institucioni.
LDK ka shprehur shqetësim për, siç thotë, “tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim politik mbi institucionet e pavarura, përfshirë KPM-në”, duke e interpretuar këtë si përpjekje për të kontrolluar mediat audiovizuale në vend.
“Këto veprime janë shkelje e parimeve themelore të demokracisë dhe rrezikojnë seriozisht funksionimin e medias si ‘shtylla e katërt’ e shtetit”, thuhet më tej në deklaratë.
LDK ka paralajmëruar se do të angazhohet që legjislatura dhe qeveria e ardhshme të respektojnë vendimin e Kushtetueses dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për korrigjimin e shkeljeve të konstatuara. Partia thekson nevojën për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës në çdo iniciativë ligjore që prek fushën e mediave, duke përfshirë konsultime me palët e interesuara dhe përputhje me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.
“LDK mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së medias në Kosovë”, përfundon deklarata.