Latifi: Në Korçë shqiptarët e kanë ftuar mikun e Karaxhiqit për të kënduar, në Leposaviç çetnikët serbë

Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi ka komentuar reagimet për koncertin që u mbajt sonte në Leposaviç.

Latifi tha se krahasimi i këtij koncerti me atë në Korçë është i palogjikshëm dhe absurd, pasi sipas tij problemi nuk qëndron tek këngëtarët por tek ata që i ftojnë.

“Në Korçë janë shqiptarë që e kanë ftuar një mik të Karaxhiqit për të kënduar. Ndërkaq, në Leposaviç janë çetnikë serbë që i kanë ftuar disa çetnikë tjerë për të kënduar. Është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar. Është krejtësisht e kuptueshme të mos pajtohemi që në qytetin e shkollës së parë shqipe të përformoj një pevaç serb, me këngët e të cilit kanë marshuar kriminelët serbë, që pasi na i mbyllën shkollat shqipe në Kosovë, provuan të na çrrënjosin komplet prej saj”, ka shkruar Latifi.

Ai shtoi se Policia e Kosovës duhej ta ndalte hyrjen e këtij grupi muzikor në Kosovë duke marrë parasysh qendrimet e tij për shtetin e Kosovës.

Ai tha se ministrat përkatës nuk kanë kohë të merren me këtë çështje për shkak të fushatës elektorale.

“Me gjasë shkaku lidhet me faktin se ministrat përkatës kanë filluar të merren më shumë me çështjet e fushatës elektorale dhe nuk kanë kohë të merren me atë se kush hyn e kush del në territorin e Kosovës. Kur neve na binë në kry votat, i harrojmë edhe babë e nanë, e lëre më punët e përditshme të shtetit”, shkroi Latifi.

Reklama