Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, njofton se me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, bashkë me kryetarët e komunave të Kosovës, po marrin pjesë për vizitë në qytetin e Kavajës.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai bën të ditur se vizita do të shërbejë për krijimin e një platforme të përbashkët të bashkëpunimit, të shkëmbimit të përvojave mes Bashkisë së Kavajës dhe komunave të Kosovës, nën moton “Mbështetje-Shkëmbim-Promovim”.
“Pas konferencës së përbashkët për çështjet që na bashkojnë si vëllezër e motra të një gjuhe, gjaku e kombi, para bustit, nderuam veprën atdhetare të dëshmorit të kombit, Indrit Cara (USHTAR KAVAJA), i cili ra heroikisht më 31 mars 1999 në Gallushë, vend në afërsi të fshatit Peçan të Suharekës, si luftëtar i UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës”, shkroi Latifi.
Tutje ai shtoi se me qëllim të thellimit të këtij bashkëpunimi, secila komunë mbolli pemën e miqësisë në parkun rekreativ.
“Mbolla edhe unë, bashkë me z. Qosja, pemën e miqësisë, në emër të Komunës së Rahovecit”, përfundon kryetari Latifi.