Kosova vazhdimisht po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, derisa sindikatat për të drejtat e punëtorëve i kanë bërë thirrje ekzekutivit kosovar që të krijohen kushte më të mira të punës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi ka thënë se ikja masive e të rinjve nga vendi është shqetësuese.
Azemi ka përmendur disa arsye që sipas tij, po ndikojnë në largimin e të rinjve nga vendi.
“Jo gjithherë është vetëm paga që përcakton qëndrimin ose ikjen nga Kosova, por është Ligji mbi sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me punëtorët e sektorit privat të Kosovës”, thotë Azemi.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka thënë se punëdhënësit duhet të ndryshojne qasjen ndaj punëtorëve, duke shtuar se kanë bërë kërkesa të tilla si sindikatë.
“Ne kemi kërkuar nga punëdhënësit që të punësuarit t’i trajtojnë në mënyrë të dinjitetshme, të kenë rrogë të dinjitetshme, por krahas asaj të kenë një sjellje të mirë në raport me të punësuarit. Edhe në momentin kur të punësuarit nuk i respektojnë punëtorët e vet, atëherë kemi ikje nga vendet e punës. Po të këtë dinjitet te të punësuarit në Kosovë, atëherë besoj se shumica prej punëtorëve nuk kishin pas nevojë edhe të largohen nga Kosova”, thotë Hykolli.
Ndryshe, Azemi ndër të tjera ka thënë se kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës, që sipas tij do të ndikonte pozitivisht sa i përket fuqisë punëtore në vend.
