LAJMI I FUNDIT: Donald dhe Romeo Veshaj rrezikojnë 10 vite burg, kjo është arsyeja

Romeo dhe Donald Veshaj janë dy emra shumë të njohur për publikun shqiptar të cilët akuzohen prej 5 vitesh për plagosje të rëndë me dashje.

Që nga viti 2017 e deri tani binjakët aktorë po vazhdojnë të përballen me drejtësinë shqiptare.

Në vitin 2017, ata janë dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe sipas gazetares së kronikave, më 27 maj do të zhvillohet seanca gjyqësore për dy vëllezërit të cilët rrezikojnë deri në 10 vite burg.

Gazetarja Anduena Llabani

Një ngjarje e pesë viteve më parë që ka protagonistë dy aktorët vlonjatë Romeo dhe Donald Veshaj, rikthehet sërish në vëmendje për shqyrtim në gjykatë. Dy vëllezërit Veshaj, fytyra të njohura të ekranit, rezultojnë prej disa vitesh në përballje me drejtësinë.

Kjo pasi në vitin 2017, ata janë dënuar nga Gjykata e Vlorës për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim (Neni 88/1 e 25 i Kodit Penal). Përballë një vendimi të butë të dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit, ku dy vëllezërit vijonin të lirë dhe apelit të Prokurorisë, shkalla e dytë e la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Mirëpo e pakënaqur me vendimin e Apelit, Prokuroria e Vlorës e ka dërguar rastin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit e ka regjistruar rekursin dhe ka caktuar si datën e seancës së parë 27 majin.

Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit duket se ka kaluar në heshtje, ashtu sikundër dënimi i cili i ka lënë jashtë qelisë dy aktorët.

Neni 88

Plagosja e rëndë me dashje

(Ndryshuar paragrafi i dytë meligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 18) Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave, kundër personit që është bashkëshort, ishbashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Plagosja e rëndë, e kryer në gjendje të tronditjes të fortë psikike të çastit, shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë nga ana e të dëmtuarit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Reklama