I dërguari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar në New York me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Sipas një njoftimi të Lajçakut në X, ai me Guterres ka folur për Ballkanin Perëndimor
“Një nder i madh të takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Më pëlqeu biseda jonë për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së dhe vlerësoj njohuritë dhe vlerësimet e tij”, shkroi emisari evropian në ‘X’.
Në dy ditët e fundit, në SHBA, Lajçak është takuar edhe me James O’Brien dhe Aleksander Kasanof.
Ai tha se kanë pasur një diskutim gjithpërfshirës për Ballkanin Perëndimor, teksa ka shtuar se është krenar për bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të tij.
Kujtojmë se Lajçakut i përfundon mandati më 31 janar. Nga BE kanë deklaruar se procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij po zhvillohet. Dy emrat e përfolur për këtë pozitë janë Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto
Zëdhënësja e BE’së, Anitta Hipper, ka thënë do të ofrohen përditësime për zhvillimet.
“Mandati i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Procesi i përzgjedhjes së pasuesit të tij aktualisht është duke u zhvilluar dhe ne do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”, ka deklaruar Hipper.