Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka bërë një përmbledhje të takimeve që ka pasur, me kryeministrin Albin Kurti në Greqi, kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq dhe gjithashtu edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajcak ka thënë se në margjinat e simpoziumit SYMI ka pasur një takim të vlefshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se kanë pasur një bisedë të gjatë dhe konstruktive për situatën aktuale në veri dhe për rrugën drejt de-përshkallëzimit, në përputhje me deklaratën e 27 shteteve të BE-së të bërë më 3 qershor dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut.
Tutje emisari sllovak ka shkruar për takimin në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë. Ai ka thënë se me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me Petar Petkoviq kanë diskutuar për një listë gjithëpërfshirëse të çështjeve të Dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin e nevojshëm në veri të Kosovës.
“Ne ramë dakord që të vazhdojmë këto diskutime dhe punën tonë për disa dokumente në periudhën e ardhshme”, ka shkruar Lajçak.
Kujtojmë se në Bruksel takim trepalësh dje nuk pati. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se ishte qëndrim i Lajçak që të mos ketë takim trepalësh, meqë një takimi tillë “jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit (të zbatimit të marrëveshjes) kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.
Bislimi ka thënë se pala kosovare është e brengosur me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, gjersa shtoi se draftet e Lajçakut në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.
Ndër tjerash, Lajçak ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Emisari evropian ka thënë se me Vuçiq kanë rëndë dakord për rëndësinë që në mënyrë urgjente të ndërmerren hapa për de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejt në normalizimin e raporteve
“U takova edhe mePresidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili po atë ditë vizitoi Brukselin. Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka potencuar Lajçak.
Kujtojmë se javën e kaluar, Kryeministri Kurti ka paralajmëruar një sërë hapash që Prishtina i konsideron si rrugë për deeskalim në veri.
E para është reduktimi aktual i prezencës policore dhe Qeveria e Kosovës gjithashtu ka deklaruar se mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komuna pas sezonit veror.
Gjithçka e rënë dakord, siç bëri të ditur Qeveria, do të përfundojë brenda dy javësh.