Janë bërë 27 vjet nga përfundimi i Epopesë së lavdishme të Jasharëve, një prej akteve më heroike në historinë e Kosovës. Nga 5 deri më 7 mars 1998, Familja Jashari qëndroi përballë një sulmi të pamëshirshëm nga forcat serbe, duke u flijuar për lirinë e vendit. Por, edhe pas betejës, për katër ditë të tjera u zhvillua një betejë tjetër – ajo për varrimin dinjitoz të 53 anëtarëve të Familjes Jashari.
Në çdo përvjetor të kësaj epopeje, flitet për heroizmin e Jasharëve, por shpesh mbeten në hije ata që ndihmuan në heshtje, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar të mbijetuarit, për të informuar botën dhe për të ndihmuar në varrosjen e të rënëve.
Bejtullah Gashi hapi dyert e shtëpisë për 17 gra dhe fëmijë të Familjes Jashari, duke vënë në rrezik familjen e tij.
Kjo u bë e ditur nga arkivuesi i historisë Adem Meta.
Postimi i plotë;
Si sot, 27 vjet më parë, të mërkurën e 11 marsit 1998, ishte përmbyllë Epopeja e lavdishme 7 ditore e Jasharëve: 3 ditë të luftimeve heroike dhe 4 ditë tjera të betejës për varrimin dinjitoz të 53 kufomave të Jasharëve.
Edhe në ketë përvjetor për heroizmin e Familjes Jashari, folën ata që kishin çka të thonë, por folën edhe disa tjerë që nuk kanë çka të flasin, por që përpiqen të marrin sado pak nga ajo lavdi.
Por, është edhe një kategori e tretë njerëzish që kanë çka të flasin, por nuk kanë folur, as nuk flasin, të bindur se, krahasuar me flijimin e Jasharëve, asnjë veprim tjetër nuk duhet përmendur.
Në ketë postim do ti prezantoj disa njerëz të kësaj kategorie, sepse ua kam borxh, pasi isha dëshmitar okular i veprave të tyre. Renditja është kronologjike dhe nuk përcakton peshën e veprimit të tyre.
Fatkeqësisht organet tona kompetente asnjëherë nuk u kujtuan që veprat e këtyre njerëzve patriotë (dhe shumë tjerëve që sigurisht së ekzistojnë) ti vlerësojnë me ndonjë organizim apo mirënjohje, sado formale.
Pas sulmit ndaj Jasharëve, mëngjesin e të enjtes së 5 marsit 1998, mungesa e informacioneve ishte e tmerrshme pasi Lagja Jashari ishte rrethuar e tëra, kurse qyteti i Skenderajt ishte bllokuar dhe boshatisur plotësisht. Kështu që telefonat fiks ishin e vetmja mundësi për të këmbyer informatat për ato që dëgjoheshin e shiheshin nga dritaret e shtëpive.
Në një gjendje të tillë, Sherif Muçaj, dhe i vëllai, Lulzimi, djemtë e furrtarit të njohur, Ahmet Hasit, me vetdëshirë e vunë në dispozicion telefonin e shtëpisë se tyre, edhe pse dihej se telefonat përgjoheshin nga policia, e shtëpia e tyre ishte në qendër të qytetit.
Për krejt kohen sa zgjati beteja e Jasharëve, ai numër telefoni ishte në dispozicion 24 orësh te të gjithë atyre që kishin për të dhënë ndonjë informatë të cilat pastaj u shpërndaheshin mjeteve të informimit si dhe institucioneve tjera joqeveritare e shtetërore, kombëtare e ndërkombëtare në Prishtinë, Tiranë e Evropë.
Nga ky telefon edhe më herët ishin dhënë lajmë të rëndësishme për TVSH-në, siç ishte lajmi për betejën e parë frontale të UÇK-së me policinë serbe, në Rezallën të Re, më 26 nëntor 1997, apo ai për sulmin e dytë ndaj Jasharëve, më 22 janar 1998.
Sulmi i një shteti ndaj një familje të vetme e shpërfaqi një veprim sa bujar e human aq edhe të guximshëm e patriotik të Bejtullah I. Gashit nga Kryeshefci, i cili pas orës 17 të një prej atyre ditëve të rënda, pranoi në shtëpinë e tij një grup prej 17 vetash, gra e fëmijë të Lagjes Jashari. Në mesin e tyre ishte edhe Besarta Hamëz Jashari, të cilët forcat serbe i kishin liruar nga Fabrika e Municionit ku i kishin mbajtur tërë ditën.
Se nuk ishte i lehtë një veprim i tillë tregon fakti se të porsaliruarit kishin trupuar përmes qytetin dhe vetëm pasi kishin arritur gati në fund të tij, ishte gjendur dikush që ti pranonte në konak. Baci Bejtë, tashmë i ndjerë, kishte rrezikuar kështu familjen e tij 7 anëtareshe dhe për ketë rast ai nuk kishte folur kurrë, por kjo nuk do të duhej të ishte arsyeja që atij të mos i ndahej një mirënjohje, apo që në ketë shtëpi të vendoset ndonjë pllakë përkujtuese.
Trimërinë e patriotizmin e vet e kishte treguar edhe Smajl Smajli, nga fshati Kuqicë me banim në Skenderaj, poashtu tashmë i ndjerë, një aktivist i jashtëzakonshëm i SHHB “Nëna Tereze”. Ai ishte fqinjë i bacit Bejtë dhe me të parë së Jasharët e liruar kishin nevojë për bukë, rroba e mjekim, kishte rrezikuar duke dalë në qytet për të shkuar të sekretari i NKMDLNJ-së për të kërkuar ndihmë.
Edhe në ketë rast, i pari që ndihmojë ishte prapë Sherif Muçaj, i cili kishte furrën e vet, ku buka e gatuar ditë më herët kishte mbetur e pashitur për shkak të bllokimit të qytetit. Andaj aty Smajlit ju mbush një thes me bukë të furrës për ta dërguar te të strehuarit.
Ndërkaq rrobat për veshmbathje ishin siguruar nga shitorja e tekstilit të pronarit Hasan Halili, i cili me të informuar për rastin e kishte dhënë çelësin e shitores dhe porosinë së çdo gjë që është aty, mund ta përdorni për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Pasi ishin përzgjedhur veshmbathje për ata fëmijë e gra, Smailit i ishte mbushur edhe një thes tjetër me rroba për ti dërguar të Jasharët e strehuar. Duhet cekur se edhe pëlhura e bardhë, e cila ishte përdorur për mbulimin e kufomave të Jasharëve, për gjatë gjithë kohën sa kishin qëndruar në depon e materialit ndërtimor, ishte marrë në ketë shitore.
Të dy thastë me bukë e rroba që i ishin dhënë Smajlit, ishin zgjedhur të jenë nga najloni i tejdukshëm për tu parë nga largësia se çka kanë brenda pasi milicia serbe në shumë vende në qytet kishte pika vrojtimi ndërkohë që patrullimet e tyre nëpër rrugë ishin të pandërprera. Shto kësaj edhe faktin se shtëpinë ku ishin strehuar Jasharët e liruar, vetëm rruga e ndante nga Parku i pishave në të cilin ishin vendosur forcat serbe që nga fillimi i sulmit.
Prania e një mjeku ishte e domosdoshme për të vizituar të posaardhurit nga lufta dhe ketë e bëri vullnetarisht Dr Bajram Mëziu, i cili së bashku me përfaqësuesin e Këshillit …, kishin shkuar në shtëpinë e Bacit Bejtë, të cilin e kishin gjetur në korridorin e shtëpisë duke i argëtuar fëmijët e Jasharëve. Duhet shtuar se dr Bajrami kishte qëndruar 1 javë rresht kujdestar në Shtëpinë e Shëndetit dhe nga aty ishte larguar vetëm ditën e 8, dhe rrugës për në shtëpi ishte maltretuar rënd nga milicia serbe.
——————-
Nga pasdarka e së dielës, 8 mars 1998, kishte filluar beteja me pushtuesin serb për varrosjen e kufomave të Jasharëve. Ajo që dihej deri në atë të diele ishte së luftimet ishin ndërpre, se milicia serbe ishte parë duke ngarkuar kufomat në kamionë dhe dërguar në drejtim të panjohur, dhe së disa njerëz ishin marrë nga policia dhe ishin dërguar në morgun e spitalit në Prishtinë për identifikimin e kufomave.
Mbi Hilmi Nuredinin, nga Klina e Poshtme, me banim në Skenderaj, dhëndër i Familjes Jashari, i martuar me vajzën e bacit Shaban, Zojën, kishte rënë barra kryesore e identifikimit, pranimit, vendosjes dhe kujdesit ndaj kufomave deri në varrosjen e tyre definitive. Hilmiu shumë kishte bërë në atë kohë, por pak ka folur për ato ditë të rënda, por fatkeqësisht në asnjë mënyrë nuk është respektuar nga institucionet kompetente.
Në rastin e kufomave të Jasharëve kontribut të çmuar ka dhënë edhe dr Nexhmedin Hoti, drejtor i atëhershëm i Shtëpisë së Shëndetit në Skenderaj. Pasdarkën e se dielës, inspektorët e milicisë serbe e kishin ftuar në institucionin që udhëhiqte, dhe kishin kërkuar nga ai që të pranonte kufomat e mandej edhe të organizonte varrimin urgjent të tyre.
I gjendur në situatë të tillë, dr Nexhi ishte konsultuar me telefon me përfaqësuesin e KMDLNj-së në Skenderaj, i cili i kishte kërkuar që inspektorët ti drjentonte të ai për të biseduar lidhur me varrimin e mundshëm. Ashtu edhe kishte ndodhur pasi policia e kishin ftuar përfaqësuesin e Këshillit… të shkonte në objektin e Sh. së Shëndetit, ku ja kishin shtruar të njëjtat kërkesa për varrim sa më të shpejtë të kufomave.
Përfaqësuesi i Këshillit… kishte thënë se e pranon një obligim të tillë me kushtin që paraprakisht ti jepej regjistri i të vrarëve, që të dihet kush po varroset. Inspektorët kishin vazhduar me trysninë e tyre e në fund atë dhe dr Nexhin i kishin dërguar në stacionin e policisë, diku para mesnatës. Pas refuzimeve kategorike, eprorët policorë kishin premtuar se gjatë natës do të sjellin regjistrin e të vrarëve, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë.
Agimi i së hënës së 9 marsit, kufomat e Jasharëve i kishte gjetur para objektit të stacionit të policisë në Skenderaj. Lah Shaqiri, afarist i asaj kohe, që e kishte shtëpinë afër policisë, nga ballkoni i shtëpisë i kishte parë aty 3 kamionë të parkuar, prej të cilëve një ishte i pambuluar, dhe aty kishte vërejtur trupa njerëzish, dhe shpejtë kishte kuptuar se ishte fjala për kufomat e Jasharëve.
Lahu kishte pranuar pa hezitim propozimin e Hilmiut për ti vendosur kufomat në depon e tij të materialit ndërtimor ku kishin qëndruar 2 ditë, deri të martën në mbrëmje, kur policia i kishin marrë dhunshëm dhe i kishin dërguar të varrezat. As Lahu kurrë nuk ka folur për ketë rast e organet përkatëse kurrë nuk e kanë shënuar ketë objekt me ndonjë pllakë përkujtuese.
I terë rasti me kufomat e Jasharëve kishte përfunduar të mërkurën e 11 marsit 1998, kur nën tytat e automatikëve dhe tankeve serbe, qytetarë të shumtë, kryesisht nga Klina e Poshtme dhe Skenderaj, i kishin varrosur në mënyrë dinjitoze kufomat e Jasharëve.