Ish-drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, është ndaluar sot për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Bajrami ishte drejtor gjatë qeverisjes së Lutfi Hazirit në komunën e Gjilanit dhe dyshohet se në vitin 2019 duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare ka lëshuar dy leje ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajramit në shkurt të vitit të kaluar.
Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2019, i akuzuari Bajrami duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Mjedisor në Komunën e Gjilanit ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson (Komunës së Gjilanit) dhe e ka zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “ Livadhet e Arapit 1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore.
Në seancën fillestare më 12 mars 2021, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë pasi që nuk e ka kryer atë vepër penale.
“Nuk e pranoj fajësinë pasi konsideroj që e kam kryer punën time sipas ligjit”, tha shkurt i akuzuari Bajrami.