Ky është i dyshuari për të shtënat me kallash në Prizren, ka të kaluar kriminale

Gazeta Demos pak më parë raportoi ekskluzivisht për të shtëna armësh në një lokal në fshatin Lubrizhdë e Prizrenit.

Burimet e Gazetës nga Prokuroria njoftojnë se i dyshuari është Egzon Reshani, i cili tashmë është shpallur në kërkim dhe pritet arrestimi i tij. 

Sipas burimeve, Reshani është emër i njohur për organet e drejtësisë me një të kaluar kriminale të konfirmuar nga Gjykata.

Për incidentin e sotëm mbi të rëndon dyshimi i bazuar për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar ose përdorim i armëve”. 

Sinjalizuesit e Gazetës në kushte anonimiteti kanë treguar se para hapjes së këtij lokalit, Reshani ka hyrë brenda me armë automatike dhe ka shtënë disa herë. Pas të shtënave ai është larguar me veturën e tij dhe për këtë rast është njoftuar Policia.

Gazeta mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë për të ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe identifikuar të dyshuarin, me ç’rast janë gjetur gëzhoja e predha të pa shkrepura të armës automatike, si dhe janë evidentuar dëmtime edhe në tavanin e lokalit. Fatbardhësisht edhe pse kishte së paku dy persona në lokal, lëndime nuk ka pësuar askush thonë burimet e Sinjalit.

Më tutje, burimet thonë se i dyshuari tashmë është identifikuar nga Policia dhe së shpejti pritet arrestimi i tij.

Për konfirmimin e sinjalizimit, redaksia ka kontaktuar rreth orës 22:00 edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës në Prizren, mirëpo i njëjti ka deklaruar se nuk posedon informacione lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Reklama