Pas hetimeve disamujore ka rënë në prangat e Policisë e Kosovës një person i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Jolic Caslav, 54-vjeçar, i cili u arrestua pas hetimeve të zhvilluara nga sektori për Hetimin e Krimeve të luftës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, për krimet e kryera nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.
Personi i arrestuar dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Gurrakoc të Istogut gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998.
I njëjti pasi është prangosur është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Kujtojmë se hetimet e vazhdueshme për krimet kundër popullsisë civile kanë rezultuar me plot të arrestuar për krime lufte.